Www.SofraKuksiane.Tk ::Kukesi::Histori::Forum::Chat::
Menu  
  Faqja Kryesore
  Kontakt
  Komente nga Vizitoret
  Rreth Nesh
  Institucionet
  Pak Histori
  Te Dhena Baze Mbi Kukesin
  Radio Kukesi
  Zakone Kuksiane
  Hotelet e Kukesit
  Kenge Kuksiane
  Chati
  Forumi
  Autoret Kuksiane
  Filozofet
  Galeria::Foto::
  Foto te Zgjedhura
  Shkarko Programe Celulari Falas
  Shkarko Lojerat e Fundit::Per Pc::


Deshironi te vendosni dhe ju Bannerin tuaj ketu?Na kontaktoni tek rubrika kontakt...
Sot Kane Qene 17 visitors-Ne Kete Faqe
Radio Kukesi
Frekuencat e Radio Kukësit i kishin kaluar hapësirat mbarë shqiptare. Ato kanë mbërritur deri në vendet skandinave, Kinë e Kore


Legjenda e një radioje që mbushi 45 vjet

Ish-drejtori i parë, Jashar Haxhiu: Kjo radio kontributin më të madh e dha në transmetimin e emisioneve për luftën në Kosovë, më 1999-ën
Ju flet Kukësi..”. Kjo sigël zanore që u përhap në eter më 16 tetor 1959, nga katër altoparlantë, që vareshin në pemët e qytetit të vjetër të Kukësit, hapi rrugën e një radioje, që në jetën e saj të gjatë do të bëhej një legjendë e informimit në gjuhën shqipe. Sigla që ende shoqëron mëngjeset e mijëra dëgjuesve, nuk është ndalur në këta 45 vjet.
Kjo radio i afirmoi vlerat në ruajtjen e ndjenjës kombëtare të gjuhës, kulturës dhe historisë, sidomos te shqiptarët jashtë kufijve në Kosovë e Maqedoni, për të cilët u ngrit dhe ky radiostacion që më pas do të identifikohej me vetë qytetin e Kukësit.
Në qytetin e vogël, njerëzit që nuk kishin dëgjuar më parë radio, habiteshin kur nga altoparlantët në vatrat e tyre, hyri vala e Radio Kukësit, që u bë pjesë e pandarë e jetës së tyre.
Fillimi ishte krejt i natyrshëm. Një program i improvizuar, një tribunë ku ngjitet ish-presidenti Haxhi LLeshi, për të prerë shiritin ishte dita e startimit të kësaj radioje që ishte e dyta në vend, për nga rëndësia dhe numri i dëgjuesve, pas Radio Tiranës. Qyteti dhe rrethi i Kukësit kanë jetën e tyre në këtë radio, që nga viti 1959 e deri më sot. Koha vlerëson si të pazëvendësueshme punën e radios që identifikohet me emrin e qytetit.


Pionierët e parë të radios
Në një godinë njëkatëshe nisën punën një grup i vogël gazetarësh e teknikësh, që merreshin për herë të parë më ngritjen e një radioje, në një transmetim prej 1 ore, që tani shkon në 12 orë. Emri i teknikës së radios është i lidhur ngushtë me Genc Musën, një talent në fushën e radioteknikës, që do t’i falte kësaj radioje gjithë mundin dhe djersën e vet. Ndërsa bashkëshortja e tij, Eglantina, ishte spikerja e parë që shqiptoi fjalët “Ju flet Radio Kukësi”. Historia e kësaj radioje mbart vështirësi të mëdha. Pas mbytjes së qytetit, radioja ndërron godinë, duke u vendosur në Kukësin e ri dhe më pas në godinën e re, ku është dhe sot. Misioni i saj për Kosovën duket në të gjitha drejtimet. Mjafton të shohësh studion e blinduar në katin e nëndheshëm, ku ishte llogaritur që radioja të punonte pa problem dhe në rast lufte e bombardimesh. Safet Dokle, Ramë Dema janë ndër të parët që ndezën aparaturat e radios. Më pas, gjithçka lidhet me emrin e Musrif Dokles, një teknik që bashkë me shumë të tjerë modernizoi radion. Redaktorët e parë ishin Naim Mani e Hamdi Shllaku. Më pas në këtë radio do të punonin dhjetëra gazetarë që bënë emër në atë kohë. Radio Kukësi identifikohet me një universitet në përgatitjen e gazetarëve. Sot në këtë qytet janë mbi 20 gazetarë që punojnë në organe të ndryshme shtypi dhe pikënisja e tyre ka qenë Radio Kukësi.


Drejtori i parë
Drejtor i parë i radios, tashmë është plot 80 vjeç. Kujtimet e tij janë pafund. Jashar Haxhiu nuk harron vështirësitë e fillimit. “Dita e parë ishte vetëm me 1 orë program”, thotë ai. Hapja e radios ishte eveniment në zonën verilindore dhe më pas në gjithë hapësirat mbarë shqiptare. Kukësi me këtë radio u vlerësua mjaft, falë dhe afërsisë me Kosovën. Radioja ishte me antena të drejtuara nga “objektivi” që ishte Kosova dhe trevat shqiptare jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë. Nëpërmjet valëve të kësaj radioje propagandoheshin traditat shqiptare. Kjo ngjallte atdhedashuri për kombin shqiptar. Këngët e para ishin ato të trimërisë. Më vonë me elektrifikimin e vendit u rrit dhe rrezja e përhapjes së radios deri te radioja me gaz. Deri sa valët e radios mbërritën në Kosovë e Maqedoni dhe më pas me marrjen e një përforcuesi, për hapësirat me valë të shkurtra Radio Kukësi shkoi në gjithë Evropën në vendet skandinave deri në Korenë e Jugut. Por Kosova mbetet auditori ynë më i madh, në shumë pika u vendosën antenat në kufi, për të mbuluar gjithë zonën e Kosovës. Ajo që po ndodhte në Shqipëri përcillej në Kosovë vetëm nga Radio Kukësi.


Vështirësitë
Radioja do të hapej dhe aty për aty u zgjodhën disa njerëz, të cilët edhe pse nuk ishin të kualifikuar, ata u bënë të tillë gjatë punës.
“Gjithçka është bërë me pasion e devotshmëri. Ngritëm një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, në çdo fshat e qytet, ku fillimisht angazhuam me këtë punë mësuesit. Menjëherë, radioja u bë pjesë e jetës së njerëzve. Dëgjuesit shkruanin dhe kërkonin edhe muzikë të padëgjuar deri atëherë, si Çajkovskin e muzikën e lehtë dhe klasike. Madje kujtoj se Tirana shprehu habi kur kërkuam muzikë të tillë. Dalëngadalë bëmë raporte, reportazhe e emisione të plota. Bashkëpunëtorët na njoftonin për gjithçka që ndodhte. Madje, letrat filluan të na vijnë dhe nga Kosova dorazi dhe fshehurazi”, tregon ish-drejtori i parë i radio Kukësit, Jashar Haxhiu.
Kishin nisur kërkesat e para të dëgjuesve për atë që donin të dëgjonin. U ngrit një rrjet gjigant antenash në gjithë brezin e kufirit për të mbuluar me valë çdo cep të Kosovës.
“Meritë për këtë ka dhe tekniku që nuk jeton më, Mustrif Dokle, dhe njerëzit që ai ka përgatitur. Ishte përvojë e re. Teknikët kanë qëndruar dhe me net të tëra në dëborë vetëm e vetëm që dëgjuesve të mos u mungojë për asnjë minutë vala e Radio Kukësit dhe sinjali i TVSH-së, pasi ne ishim nën varësinë e RTVSH-së dhe ishim pjesë e këtij gjiganti. Bashkë me valën e radios dërgonin dhe valën e TVSH-së andej”, tregon ish-drejtori.


Radio Kukësi, si i shërbeu propagandës shqiptare
Për kosovarët “radioja e veriut” ishte i vetmi burim informacioni.
“Në mënyrë sekrete në atë kohë merrnin dhe gazetën në gjuhën shqipe “Rilindja e Kosovës”. Kuptohet se ajo ishte në duart e Beogradit. Ne i kundërviheshim dhe sqaronim publikun e Kosovës, pikërisht duke iu referuar kësaj gazetë, që në thelb ishte antishqiptare. Te ne ata mbanin të gjallë historinë, traditën, kulturën dhe shpresën për liri”, vijoi Haxhiu. Gjithçka që bëhej ishte në funksion të çështjes kombëtare deri në vitin 1999 kur liria e propaganduar aq shumë në valët e Radio Kukësit erdhi dhe për kosovarët.
“Me valët e shkurtra shkuam në gjithë Evropën, në vendet skandinave, e deri në Kinë e Kore të Jugut. Inxhinieri suedez, Ulmar Cvick, na dërgoi një pajisje që e kishte bërë në Suedi. Më pas erdhi vetë në radio dhe u bë mik i saj. Po kështu italianë e kinezë mësonin gjuhën shqipe nga Radio Kukësi dhe na dërgonin letra. Ajo që duhet të veçohej nga puna e radios edhe pese nuk kam qenë unë drejtor është viti 1999, ku Radio Kukësi u bë pasqyra e saj që po ndodhte në Kosovë e Kukës. Misioni i saj u realizua si jo më mirë. Tashmë në lirinë e Kosovës, Radio Kukësi ka pjesën e vet”, vijoi ish-drejtori i parë i radios, Jashar Haxhiu.
Në fakt, edhe sot shumë kosovarë ndalojnë në fund të shëtitores dhe bëjnë foto para radios. Ajo për kosovarët është ende magji. Ata u rritën me të, madje dhe u burgosën. Janë me qindra kosovarë që dëgjonin fshehurazi Radio Kukësin dhe sapo pikaseshin në serbët burgoseshin. Ndërkohë, shqiptarët e këtejmë burgoseshin po të dëgjonin Radio Prishtinën. Skënder Golaj, sot gazetar dhe drejtor i Radio Gjakovës kujton se ishte vetëm 19 vjeç, kur shkeli për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1979, me teatrin “Epoka para gjyqit”. “Në fund të qytetit pashë një godinë të bukur trekatëshe ku shkruhej Radio Kukësi. Ishte ëndrra ime dhe çdo ditë e dëgjoja fshehurazi si gjithë shqiptarët. Erdha dhe e preka murin dhe thashë me vete se a do të bëhesha ndonjëherë si këta të Radio Kukësit”. Radio Kukësi është historia e gjallë e jetës kulturore e artistike dhe një arkiv i rëndësishëm për gjithçka ka ndodhur në 45 vjet. Nexhmije Pagarusha, Esat Bicuri, Muharrem Mici, Sabri Fejzullahu dhe plot zëra të shquar të Kosovës dëgjoheshin në Kosovë vetëm nga vala e Radio Kukësit. Fonoteka me mbi 20 mijë krijime origjinale është një pasuri kombëtare e Shqipërisë. Sot në Kukës ka më shumë se 20 gazetarë lokalë e qendrorë, “universiteti” i tyre është Radio Kukësi. Që nga njerëzit më të thjeshtë, politikanë e artistë jo vetëm shqiptarë, por dhe deri te Koffi Annan, kanë folur para mikrofonit të Radio Kukësit. Për punën e bërë ndër vite kjo radio ka marrë mirënjohje nga shumë organizma të huaj dhe vendas. Në kulmin e dëgjueshmërisë, radioja ka pasur një potencial dëgjuesish shqiptarë prej 3 milionë dëgjuesish. Bashkëpunimi me radio brenda dhe jashtë vendit si me BBC-në, “Zëri i Amerikës”, “Dojçe Wele”, Radio Kosova etj., tregojnë se radioja ka partneritetin dhe besimin profesional ndër radiot më të mira shqipfolëse pse jo dhe me radio të tjera, të cilat kanë ndihmuar në teknikë dhe trajnimin e gazetarëve të Radio Kukësit.
Programi

Fillimisht u transmetua një orë në ditë program, kryesisht për banorët e qytetit.
Më pas programi mbërriti në 13 orë transmetim.
Muzika shqiptare popullore ka qenë baza e fonotekës me mbi 20 mijë tituj, ndër më të pasurat në vend.
Informacioni deri në çlirimin e Kosovës ishte kryesisht për kufijtë jashtë atdheut. Në vitin 1992 eksperimentohen për herë të parë emisionet e drejtpërdrejta.
Tani rreth 30 për qind e programit është i drejtpërdrejtë.
Dëgjueshmëria pas heqjes së valës AM, ka rënë për mungesë të përhapjes së saj.
Në kulmin e dëgjueshmërisë Radio Kukësi, që ndiqej në shumicën e vendeve të botës, kishte 3 milionë dëgjues.


Disa nga gazetarët e Radio Kukësit
Zaim Basha
Artian Tepelena
Klementina Dika
Rexhep Shahu
Blerina Halili
Mirjana Përzhita
Sulejman Dida
Jonuz Hallaçi

Teknika e radios
Fillimisht ka nisur me një transmetues të fuqisë 1 kv të prodhimit rus. Më pas me pajisjet kineze. Teknologjia e ardhur nga shteti mik aziatik, në atë kohë u bë teknologjia sunduese. U ngritën nënstacionet e Shtrazës 2 km larg radio transmetuesit 16 kv për Radio-Kukësin dhe me pas 50 kv për Radio Tiranën.
Kjo teknikë lidhet ngushtë me emrat e Genc Musës, Mustrif Dokles, Safet Tolës, Sefedin Shllakut, Besnik Shahinit, Fitore Sheut etj.

Kush e ka ndihmuar
Kontribut të madh në vitet e tranzicionit ka dhënë projekti gjerman GTZ “Për radiot lokale që ka trajnuar gazetarët dhe ka ripërtërirë studiot e transmetimit dhe pajisi gazetarët me regjistratorë profesionalë. Ndihmë teknikës i ka ardhur dhe nga fondacioni holandez “PRESS NOW”, që solli për herë të parë pajisjet dixhitale dhe “Druo de parole” nga Franca, që solli transmetuesin 5kv FM, dhuratë për Radio-Kukësin që më pas u mor nga Radio Tirana.

Radioja sot
Drejtori aktual i radios, Qemal Dehamsa, thotë se “Sfida jonë është mbijetesa në kushtet e reja. Një studio televizive dhe një transmetues FM 5 kv, janë domosdoshmëria e radios. Në kemi dhe partner të fuqishëm mediatikë si BBC-në, “Zërin e Amerikës”, radion DW, Radio Kosovën. Edhe shteti duhet të na ndihmojë më shumë dhe të kujdeset për radion, pasi është radio publike me një përvojë të jashtëzakonshme. Ajo që është bërë në 45 vjet nuk duhet të humbasë, por të zhvillohet edhe më tej”.

Tirana Observer - Maj 2005
 
Thenie  
 
A don male me deborë,
trima te fort e malsorë,
fort Bujarë e burrerorë,
shko në Kukes i ke ne dorë.  F.S.Noli
Kukes
 
Informacione  
 
Radio

Nr telefonik per emergjence:
Ujesjellesi 024-224065
Spitali 024-222573
Zjarrfikesi 024-222333
Urgjenca 024-222229
Kom.policise 024-222221
Elektriku 024-222555

 
Autoret Kuksiane  
 


 
Faqe Partnere  
 

Mardhenie Diplomatike Me:
Www.Bisedoj.Com
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu

 

Fuqizuar nga Www.Bisedoj.Com ::Nentor 2008:: Kukesi Kontakt Mp3 Chati Rreth Nesh

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free