Www.SofraKuksiane.Tk ::Kukesi::Histori::Forum::Chat::
Menu  
  Faqja Kryesore
  Kontakt
  Komente nga Vizitoret
  Rreth Nesh
  Institucionet
  Pak Histori
  Te Dhena Baze Mbi Kukesin
  Radio Kukesi
  Zakone Kuksiane
  Hotelet e Kukesit
  Kenge Kuksiane
  Chati
  Forumi
  Autoret Kuksiane
  => Havzi Nela
  => Petrit Palushi
  => Vera Istrefaj
  Filozofet
  Galeria::Foto::
  Foto te Zgjedhura
  Shkarko Programe Celulari Falas
  Shkarko Lojerat e Fundit::Per Pc::


Deshironi te vendosni dhe ju Bannerin tuaj ketu?Na kontaktoni tek rubrika kontakt...
Sot Kane Qene 15 visitors-Ne Kete Faqe
Petrit Palushi


RRËFIM SINTETIK E MITIK I TEMATIKËS ROMANORE
 

Petrit Palushi: “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”, roman, botoi OMBRA GVG, Tiranë, 2007. 

Shkrimtari, krijuesi dhe prozatori i shquar nga Kukësi, Petrit Palushi, edhe kësaj here doli para lexuesit me një roman të ri, i cili mbase që në fillim sugjeron për vlerat në ngritje të krijimtarisë romanore të këtij shkrimtari. Madje, ky roman përbën pjesën e tretë të romaneve triptiko-trilogjike të Petrit Palushit pas “Përroit të Andrrës” dhe “Tri motra në një qytet”. Andaj, romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” është unaza shtuese romanore e këtij triptiku trilogjik të këtij autori. Ky konstatim mund të arsyetohet në disa rrafshe, por mjaftojnë vetëm ato, si: uji, përroi, lumi, ura, pastaj Flaka e Vesa Lisi, e të tjera. Kryetema e romanit shtrihet edhe këtu në shtratin e ujit të lumit Drini i Zi, mu aty ku bashkohet me Drinin e Bardhë. Madje edhe lokaliteti, ura, këmba e saj, rrjedha, thellësia e lumit dhe shtrati i tij shënojnë vendin e trajtimit të rrëfimit të syzheut të këtij romani, sikurse edhe të romaneve të tjerë të Petrit Palushit. 

Struktura dhe tematike mitike e romanit 

Tematika dhe shprehja rrëfimore e mitike e romanit “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” të Petrit Palushit strukturohet sipas një përmase shtresore të ambientuar dhe të fiksuar në rrathët e njësive kohore të mjedisit artistik e letrar. Ky rrëfim mitik kapërdihet në përmasat kohore drejtvizore dhe rrethanore, duke mëtuar të bëhet nga një kalim i befasishëm dhe i pahetueshëm nga njëra përmasë kohore tek tjetra me qëllim të krijimit të dinamizimit në tërësinë e romanit. Kështu, në rrëfimin drejtvizor kohor të romanit shtrihen tentativat e Bardh Drinit për gjetjen e trupit të djalit, Egzonit, të mbytur në ujë, mandej për kujdesen edhe ndërtimin e varrit të tij më qëllim të kanonizimit dhe pengimit të ardhjes së vdekjes në familjen e tij, sidomos tek fëmijët: Jugera e Rroni. Ndërkaq, zhvillimi kohor rrethor nuk ka fillim e fund të përcaktuar, por ai rrjedhë sipas një vije sa rrethore po aq edhe parabolike, duke ndërtuar një strukturim të gërshetuar me copa të një mozaiku artistik që ka rrjedhë shumëdimensionale dhe shumështresore. Poashtu, ky shtresim sa vjen e bëhet më dominues dhe më përcaktues në fatin, qëllimin, synimin dhe mëtimin e këtij rrëfimi. Shikuar në aspektin kohor, shtrirja e dimensionuar nuk kapërdihet nëpër të çarat e rrëfimit abstrakt, madje as fantastik e shkencor, por ai rrjedhë nëpër stadet e një rrëfimi më afër mitikes, e pse jo edhe magjikes. Ky konstatim nuk përkon prerazi me realizmin magjik si drejtim letrar, por më tepër është një gërshetim që i nevojitet autorit Petrit Palushi për romanin e tij “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”. Kjo mënyrë e zgjedhjes, madje nuk e zhvlerëson mënyrën e strukturimit tematik, por përkundrazi e ngjiz, e ngjesh dhe e shtrin dendur në rrafshin e shprehjes tematike mitike dhe magjike. Petrit Palushi këtë e bën ngase e njeh mirë mitologjinë popullore, sidomos të trevës së vetë, Kukësit, pra të Shqipërisë së Veriut, Kosovës, por edhe më gjerë. Këta elementë nuk dalin të zbehtë, madje as të kurdisur sa për ta ngjizur rrëfimin e romanit, por ata zgjojnë kureshtjen e lexuesit duke marrë anën funksionale të tyre. Funksionalizimi nuk del i ngurtë në roman, por ai në shumicën e rasteve është rrjedhë e brendshme, e pse jo edhe lirike në strukturimin e romanit. Kështu, fundi strukturor i romanit nuk është asgjë tjetër vetëm se rikthim në bazën fillestare, pas një rrotullimi të dilemës së kryepersonazhit Bardh Drini, ngase historia e kujdesjes së varrit të tij kthehet në pikënisje, pra në fillimin e nisjes. Por, duke shikuar më thellë në veprimet figurative të Bardh Drinit dhe personave të tjerë të romanit, nuk është fare e sigurt se kushtet do të jenë të njëjta dhe gjithçka do të nisë nga fillimi. Siç e thotë titulli , tema qendrore e romanit është tema e luftës kundër vdekjes, e cila do të shtrihet në familjen e Bardhit, sidomos tek fëmijët e tij. Andaj ky personazh i romanit, bashkë me disa të tjerë, do të vuajë gjatë gjithë jetës së tij, ose në një periudhë të caktuar të saj, nga frika se vdekja e pamëshirshme pas marrjes së Egzonit, do të shtrihet edhe tek fëmijët e tjerë. Andaj, ai nuk frikohet nga ajo. Për ta dëshmuar këtë, Bardhi me vetëdije e ndërton varrin e vet afër varrit të Egzonit, për të cilin do të kujdesej. Por, veprimet e tij dikur shtrihen në një mikrounivers të izoluar, sepse për këtë gjë nuk dëshiron të dijë askush. Madje as gruaja e fëmijët. Por, fatkeqësisht ai nuk mund t’u ikën vrojtimeve të njerëzve, e sidomos të rojës së varrezave, Currit.

Unaza rrëfimore e romanit nuk shtresohet dhe as nuk bashkëdyzohet me vështirësi. Edhe pse autori duhet të kujdeset për të gjitha poret e frymëmarrjes së romanit, rrëfimi rrjedh lehtë, pa zori dhe pa ndonjë ndrydhje të tepruar. Kjo bëhet nga pena e kujdesshme e autorit Petrit Palushi. Andaj, autori mëton të bindë lexuesin e romanit të vet se koha e shfaqur në roman nuk ndryshon asgjë dhe nuk sjell ndonjë përmirësim jetësor, por përkundrazi ajo duket se do të shtrihet pahetueshëm nëpër të gjitha poret e jetës së Bardh Drinit dhe familjes së tij. Edhe pse ndonjëherë ajo duket së nuk lëviz, por qëndron në situatën vendnumëro, duke mos pasur zgjidhje fatlume, rrjedha shkon nëpër shkallët që sjellin mjerim, huti, mosdurim, ankth, mosbesim dhe dilemë. Të gjitha këto dhe fate të tjera shëtisin nëpër faqet e romanit nga mendja e Bardh Drinit deri te varri i Egzoni, e pse jo edhe deri tek varri i tij për të cilin kujdesej me aq fanatizëm. Kështu tema e dilemës dhe ndërprerjes së vdekjes plotësohet me temën e boshtit që sillet rreth dy varreve që janë Varri i Egzonit dhe Varri i Bardhit. Ky mozaik herë i shtrirë e herë i tkurrur nuk mëton të lëvizë nga qëllimet e personazhit. Andaj, paralelisht me mëtimin e ndaljes së vdekjes për të mos u shtrirë tek fëmijët e tjerë, shtjellohet edhe rrëfimi mitik i ritit të saj nëpër rrathë autoktonë të banorëve buzë lumit Drini, edhe të Bardhit edhe të Ziut. Kjo bëhet nga Bardh Drini me qëllim të caktuar që t’i shlyej gabimet e mëkatet e tij prej njeriu, duke dëgjuar kështu zërin e ndërgjegjes që edhe mund të mposhtet shpesh nga plogështia shpirtërore, e pse jo edhe nga urrejtja.  

Rrëfimi sintetik i romanit 

Romani “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” e bën lexuesin për vete qysh në rreshtat e parë, falë kënaqësisë që jep rrëfimi i lart artistik dhe i mrekullueshëm. Por rëndësia më e madhe e romanit qëndron në pasurinë e begatinë kuptimore dhe në shumësinë e interpretimeve të mundshme me të cilat disponon vepra. Kjo shpjegohet sepse protagonisti Bardh Drini nuk paraqitet si pozicion i thjeshtë letrar i njeriut të zakonshëm dhe as imazh simbolik i një njeriu dogmatik i tipit të ngurtë religjioz. Bardh Drini shpreh simbolikisht gjendjen shpirtërore të të gjithë njerëzve të tillë të kësaj treve në kohë dhe periudhë të caktuar kohore, të cilët kanë pasur të njëjtin fat, duke përjetuar të njëjtat probleme e konflikte ideore sikurse Bardh Drini. Mbi të gjitha, ngjarja në romanin “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” paraqitet si një rrëfim sintetik mbi historinë e Bardh Drinit, përshkruar me anë të mitit të luftës kundër vdekjes, gjegjësisht shtrirjes së saj te fëmijët e tjerë të tij. Kjo duket, mbase ngapak, edhe fantastike e magjike, ngase hapja e varrit që mbetet një kohë i zbrazët sjell kobin e shtrirjes së lajmit ogurzi mbi banorët e kësaj treve. Kjo gjë rrëfimit ia hap shtegun e lëvrimit të situatës së vetëflijimit për shkak të larjes së mëkatit të prindit. Por kjo gjë zhvillohet nëpër formën e një rrëfimi paksa edhe dramatik e shpesh edhe rrëfimor. Kjo rrjedhë shihet edhe në ndërtimin, gjegjësisht në formën e shkrimit që shihet sheshazi në faqet e këtij romani kur autori Petrit Palushi shkruan formën e dramës duke e zhvilluar dialogun në mes të personazhit Bardh Drini dhe birit të tij Egzon Drinit nga varrezat e tyre që janë bri njëra-tjetrës. Kjo formë e shkrimit të rrëfimit në roman veç sa e ngjiz edhe më tepër sintetikën e shprehjes figurative dhe artistike të romanit.

Sikur në romanet e mëparshëm edhe këtu hasim fjalë, fraza dhe shprehje të reja nga autori Petrit Palushi. Bile, kësaj radhe ky autor përdor disa forma dhe shprehje gramatikore të të folmes gegërishte, apo më mirë të thuhet të të folmes së trevës së tij gjuhësore. Kjo bëhet për disa qëllime, por kryesori është sepse autori do ta paraqesë në mënyrë autoktone edhe formën e rrëfimit gjuhësor në romanin “Njeriu që kujdesej për varrin e vet”. Kësaj edhe ia arrin me sukses. 

Nga HALIL HAXHOSAJ




Petrit Palushi

“Tri motra në një qytet”

22/07/2007 - 08:30
• Nga Arta Marku



Qyteti, i akullt, i ashpër, agresiv madje… Eshtë qyteti ku mbërrijnë tri motrat. Flokëverdha, tërheqëse, transparente, të brishta. Qyteti ku kryeqëzohet Drini i Bardhë me Drinin e Zi (jo rastësisht këto ngjyra ekstreme) është vendi i izolimit të tri motrave (që mbërrijnë nga Melburni), për të vetmin “faj” se i ati i tyre, kohë para se të lindnin vajzat, ishte arratisur. Kohë më pas, vëllai i tyre i madh, për një trill kërkon të vijë në Tiranë e të kryejë studimet në vendin e origjinës së babait, në gjuhën që nëpërmjet gjakut kish kaluar nga ati tek i biri. Kurse motrat, përshkojnë të njëjtën rrugë që kish bërë vëllai, për ta takuar atë, pas një heshtje të gjatë moskomunikuese. Në Shqipëri i pret e paparashikueshmja. Jeta e tyre merr të tatëpjetën, pasi i vëllai ish rrokullisur më parë…
Ngjarjet e librit zvillohen më shumë së brendshmi se së jashtmi. Jo rastësisht libri është i ndërtuar mbi monologun më shumë sesa mbi dialogun.
Argumentet mbi të cilat është ndërtuar libri janë thellësisht kundërshtuese ndaj njëra tjetrës, me anë të cilave autori kërkon të krahasojë Shqipërinë e diktaturës me shpirtin e pastër dhe të brishtë njerëzor: qyteti i ashpër dhe vajzat e brishta, të cilat nuk mund të miqësohen mes tyre. Së paku jo në atë kohë në të cilat fati (fatkeqësia) i ka bërë “bashkë”. Vajzat janë pothuaj të internuara në hapësirën gri të qytetit të ftohtë. Njerëzit nuk mund të krijojnë marrje dhënie me to, veç në mos disa prej fëmijëve të qashtër... Flitet për një kohë traumatike… kurse autori i librit “Tri motra në një qytet, ka gjetur një mënyrë ndryshe për të rrëfyer për të… Por, cthotë përtej këtyre, ai vetë për librin, që e prezanton për herë të dytë në pozicionin e shkrimtarit pas “Përroi i andrrës”…

“Tri motra në një qytet”... duket se dy janë argumentet e romanit tuaj: motrat dhe qyteti. Çfarë përfaqësojnë këto dy argumente dhe në ç’raport qëndrojnë ato në librin tuaj? Janë motrat që ju kanë çuar te qyteti, apo përkundrazi, ju duke dashur të flisni për qytetin, keni përdorur motrat si karrem…?

Tri motrat dhe qyteti kanë një lidhje. Vetë rrjedha e ngjarjeve i sjell tri protagonistet e romanit në një skenë të tillë ku luhet fati i tyre krejt i pafat. Është një shtysë, një kërkesë e brendshme drejt një skene ku mund të luhej fati i tyre kësisoj. Qyteti pra shndërrohet në skenë, në dekor, ku shumë shpejt banorët e tij shndërrohen në aktorë. Në mos pranë qytetit që shtrihej pranë Dy Drinave (mu aty ku zhvillohet gjysma e ngjarjeve të librit), ngjarjet mund të vendoseshin në një qytet tjetër. Unë kam pasë parasysh një qytet që shtynte ditët nën rregullat e ngurta dhe izoluese të diktaturës.

Janë dy elementë që qëndrojnë përkundër njëri-tjetrit: brishtësia e motrave përballë ashpërsisë së qytetit. E qëllimshme kjo nga ana juaj? Apo ishin elementët realë që i gjetët të gatshme për të ndërtuar këtë vendosje të të kundërtave përballë?

Ajo kundërvënie që vini re ju, më ka shërbyer për të krijuar kontrastin rrëfimor. Këtu kanë vepruar njëfarësoj elementët realë, një avull i frikshëm që qëndronte mbi një kolektiv të robëruar. Po të mos ekzistonte e kundërta, romani nuk do të ekzistonte n’atë formë që është ndërtuar. Vargu i A. Shkrelit (“Ruaju, moj, se vashat më të bukura i vret bukuria e vet”), i vendosur si parafjalë e shkurtë e romanit është një lloj paralajmërimi mbi fatin e personazheve femra. Por jo vetëm hijeshia e tyre. Edhe mënyra e jetesës, veshja, psikologjia bie ndesh me atë frymë të betonizuar që kish futur diktatura tek njeriu, aq më tepër tek shpirtrat e njerëzve që banonin në skaje të largëta, thuajse harruar prej botës. Mu për këtë jam përpjekur që edhe ana syzheike të jetë më e larmishme dhe kontrastive dhe njëkohësisht të vendos njëfarë ekuilibri midis pjesëve dramatike dhe jodramatike.

Meqë jemi këtu, a ka një histori reale që ua ka dhënë shtysën për këtë libër? A kanë ekzistuar me të vërtetë tri motrat flokëverdha në qytetin ku kryqëzohej Drini i Bardhë me Drinin e Zi?

Po, ka një të vërtetë dhe, si të thuash, prej këtu ka lindë shkëndia e parë që vepra më vonë të merrte jetë. Një lëndë e tillë është ngjizur në trurin tim si pa e kuptuar për shumë e shumë kohë. Aty kah vitet ’80, kanë mbërritë në Kukës tri motra shqiptaro-australiane, thuajse gjysmë të internuara. Kanë qenë jashtëzakonisht të hijshme; njëra ka qenë flokëverdhë, ndërsa dy të tjerat me flokë të zez. Por letërsia ka të bëjë me atë që quhet fiction, prandaj unë kam kapërcyer shumë gjëra. Për mua ka pasë rëndësi ngacmimi të shkruaja diçka rreth fatit të tyre. Gjatë shkrimit fantazia është futur n’ato rrjedha që e ka shpërfillë krejt atë lëndë të parë, ose i ka mbetur vetëm një pamje e largët. Unë nuk e kam ndjekë pikë për pikë ngjarjen, por kam krijuar një pjesë të re të plotë, se ndryshe vepra do merrte formën e një reportazhi letrar. Më është dashur të krijoj skena të qytetit (Kukësi i Vjetër) që tash nuk ekziston më, ndërsa pamjet e Kukësit të Ri i kisha çdo ditë para syve të mi. Kjo, si me thënë, është skena ku luajnë personazhet. Pavarësisht se qyteti i vjetër përmbytet, dhe jeta zhvendoset në qytetin tjetër, të dy qytetet përbëjnë një jetë, një psikologji, një mentalitet, natyrisht nën flamën e dikaturës. Jo më kot, unë tri motrat i shoh si personazhe që veprojnë në një qytet. Dhe, meqenëse jemi te historia reale e tri motrave, e madhja ka bërë shtatë vjet burg politik, e ndërmjetmja u arratis; mund të shtoj se poeti V. Zhiti në librin “Ferri i çarë” (f.64-65) e ka përshkruar njërën prej motrave, e cila ndodhej asokohe në një qeli pranë qelisë ku gjendej poeti. Tani, mesa di unë tri motrat janë vendosur prap në Melbourne (Australi).

Ka një detaj në këtë libër; prania e Përroit të Andrrës, një element i cili në të vërtetë ka qenë boshti i librit tuaj të parë, me të cilin identifikohej qysh në titull. Pse shfaqet i pranishëm ky përrua sërish në librin e dytë? Ju shërben për një detaj, apo më shumë se kaq ju keni një lidhje të posaçme me përroin dhe legjendën që i jep një tis intrigues atij?

Ai përrua ka marrë formën e një metafore, dhe ka të bëjë pikërisht me shqetësimin që e ndjek njeriun vazhdimisht. Prania e tij është trandje, është brengë dhe njëkohësisht sikur e thirr njeriun t’i ikë sadopak fatit të mbrapshtë që e rrethon gjithandej. Zhurma e ujit të Përroit të Andrrës është një lloj muzike që shoqëron gjithë rrëfimin; ai është shndërruar në detaj, në nyje lidhëse për shumë gjëra.
Një pikturë (e imagjinuar?) ju e keni përshkruar me detaje në librin tuaj (një nga protagonistet është piktore, e cila në të vërtetë shfaqet një herë të vetme me penela në dorë): në fillim gurë të vegjël të bardhë, pastaj një imazh femëror… vija të errëta. Çfarë nënkupton kjo pikturë, pikërisht me ato detaje që i keni dhënë ju, përtej të qenit një vepër që thyen kornizat e realizmit socialist?
Është tabloja jokonformiste e një rrëfimi pa zë, krejt në heshtje. Është një jetë e shkuar kot, në kotrast me atë që trumbetohej. Është përshkrimi i një realiteti që vret edhe jetën e një krijese të brishtë siç është femra. Një femër pa mbrojtje, e rrethuar prej një realiteti të vrazhdë.

Elementet mistikë janë të pranishëm në të dy librat tuaj. Por le të qëndrojmë te libri i dytë i cili më së shumti ka një bazë reale. Gjithsesi: prania e elementëve mistikë, është një kërkesë në funksion të asaj që doni të thoni apo, i përket më së shumti natyrës suaj, mënyrës tuaj të të shkruarit?

Kam përshtypjen se elementët mistikë kanë zënë vend krejt natyrshëm në prozën time. Në trevën ku unë banoj kanë funksionuar shkëlqyeshëm një herë e moti mitet, legjendat, etj. Mund të them se tash kanë mbetur fije të tyre, të cilat sidoqoftë, kanë ndikuar jashtëzakonisht tek unë. Por edhe përditshmëria jonë seç ka një lloj mistike të çuditshme, të cilën bëjmë sikur s’e vemë re; kësisoj elementët mistikë shpesh janë bërë pjesë e veprës time. Ajo ashpërsi jete në vitet e ish-diktaturës, më shtyn të besoj se u bë këmbimi i kohëve: Mesjeta qe e pranishme në gjysmën e dytë të sh. 20, ndërsa e tashmja, ajo që duhej të jetohej normalisht, u zhyt në në zgafella.

Në të njëjtin kontekst, çfarë mund të thoni për ëndrrat (Flaka ish lodhur duke parë ëndrra qysh kur kish mbërritë në atë qytet…)?

Përgjithësisht personazhet e romaneve të mi janë personazhe me ëndrra të deformuara. “Përroi i Andrrës” është një roman i mungesës së ëndrrave (pavarësisht se aty kemi të bëjmë me shformësimin e legjendës), ndërsa personazhi i Flakës që ju e përmendni, tronditet pikërisht prej ëndrrave të rënda; mungesa e ëndrrave ose dhe ëndrrat e rënda, ëndrrat me kryeposhtë, janë njëfarësoj pasqyra e një jete me plot mungesa.

Nëse do ti referohesha elementit kohë, dy librat tuaj të deritanishëm janë ndërtuar mbi terrene kohore të ndryshme.... Sa e rëndësishme është koha në një vepër letrare, për ju, për të transmetuar mesazhet tuaja? Apo është thjesht ngjarja që e përcakton atë?

Te “Përroi i Andrrës” duket se është një kohë që vjen nga tejhistoria, nga tejkoha; te “Tri motra në një qytet” është një kohë tjetër, në pamje të parë moderne. Por drama e njeriut është e njëjtë, vetëm se vuajtja e njeriut është më pak e dukshme, me një lloj sofistikimi perfekt. Pra, kohët fizike (periudhat, etj, etj.) shkrihen dhe del fati i njeriut në atë kohë që mund të quhet kohë ekzistenciale. Vepra letrare dhe në këtë kuptim, proza, është një vepër e pakohë. Koha e përcaktuar do ta kufizonte shumë rrezen e mesazhit të vetë veprës.

Një tjetër veçori që u karakterizon, sërish nëse do t’i referohesha dy romaneve tuaj: prania e gegnishtes në letërsi, kryesisht si leksik. Kjo është një kërkesë për të pasuruar gjuhën e librit, apo mënyrë të shkruari, pasojë e origjinës suaj?

Gjuhën e konsideroj pjesë të rëndësishme të një vepre letrare. Kjo do të thotë që gjuha rrëfimore duhet të jetë mjaft e përpunuar. Stili pa një gjuhë seriozisht të përpunuar është i thatë, jo funksional. Gjuha është plastikë, është modelim. Më vjen mirë që kritika e ka hetuar këtë element në dy romanet e mia. Elementë të gegnishtes në prozën time janë jo vetëm si leksik, por edhe si frazeologji dhe si formë sintaksore. Aty ka edhe neologjizma (farkime fjalësh të reja), por pjesa më e madhe ka të bëjë me përditshmërinë e gjuhës, dmth., me atë që flitet sot, jo vetëm aty ku unë banoj, por edhe në treva të tjera (Has, Prizren, Gjakovë, Opojë, Therandë, etj.). Elementë të tillë gjuhësorë zënë vend natyrshëm gjatë shkrimit të prozës, pra një prani e tillë ndihet si domosdoshmëri. Përndryshe, proza ime do t’ish fort e mangët, ose do t’ish prozë fort e zakonshme. Në anën tjetër, është detyrë e gjuhëtarëve të përcaktojnë se në ç’masë e pasurojnë gjuhën elementë të tillë gjuhësorë.

Libri është ndërtuar si një mozaik, ku në vend të copëzave të gurëve janë copëza të historisë që krijojnë një panoramë: si ka funksionuar procesi i ndërtimit të kësaj tablloje? Ju e keni skicuar më parë atë, apo intiutivisht tabloja krijohej ndërsa ju shkruanit?

Në mendjen time fillimisht ka qenë skeleti i veprës. Gjatë shkrimit të romanit shumë gjëra përmbyseshin dhe lindnin të tjera; krijimi mbetet në rrjedhë të vazhdueshme, prandaj fatet e pesonazheve i kam marrë në vija të përgjithshme, në vija më pikante. Ka qenë një kalim telegrafik në jetën e tyre që më krijoi mundësi që secili personazh të kish profilin e vet. Romani është shkruar copëza-copëza dhe në fund kam bërë montimin e pjesëve duke ndjekur një vijë lineare, një farë kronologjie. Më së fundi e vura re se tabloja e veprës kish mbaruar dhe s’kisha ç’të shtoja më.

Në përgjithësi: si funksionon procesi për ju? Si lind një ide, si materializohet ajo në një libër, si avancon? A mund të përmbyset një ide fillestare në rrugë e sipër…?

Përgjithësisht, mbasi lind ideja, ajo përpunohet gjatë në mendjen time, merr frymë, krijon hapësirën e veprimit dhe materializimi (shkrimi i librit) është puna e fundit. Por ndodh që ideja fillestare përmbyset, lind një ide e re, ndoshta me kuptim krejt të tjetërllojtë me fillestaren. Kur shkrimtari është në kërkim të vazhdueshëm ndodhin gjëra të tilla, përndryshe idetë do të ishin ide vegjetuese dhe të plogshta dhe me vështirësi mund të dilte lëndë prej tyre.

“Romani është një zhanër i pakryer”; me këtë thënie të teoricienit M. Baktin, kritiku Ahmet Selmani, në pasthënien e librit, kërkon të interpretojë romanin tuaj, madje duke shtuar se “Mbase në këtë garë të pakryer, futet edhe Petrit Palushi me romanin e tij “Tri motra në një qytet”, për ta transformuar qoftë me formën e jashtme, qoftë me atë të brendshme”. Si e komentoni ju këtë? Ku e gjeni lidhjen mes të pakryerës dhe librit tuaj “Tri motra në një qytet”? Çfarë do të thotë sipas jush i kryer, për një vepër letrare?

Kam përshtypjen se kritiku A. Selmani, një nga kritikët më seriozë të letrave shqipe sot, duke cituar teoricienin M. Baktin, ka pasë parasysh kërkesat e mëdha që ka gjinia e romanit, një gjini jashtëzakonisht e vështirë. Në këtë rast, e pakryera, është përpjekja e shkrimtarit për të afruar veprën e vet tek e mundshmja e rrëfimit, ose më saktë, tek një rrëfim i paqortueshëm. Pikërisht te romani “Tri motra në një qytet”, jam përpjekur të rrëfej brenda këtyre kërkesave. Kurse, e kryer, në një vepër letrare, është gjithmonë ajo që përmban të pakryerën në vetvete. E pakryera, tekembramja, është mundi i shkrimtarit për të përsosur veprën në të gjithë plotninë e vet. Kur thuhet që autori ka gjetë veten te një vepër e caktuar, është gabim, dmth, sipas kësaj mendësie, autori ka mbërritur një cak dhe ka shterruar. Autori është në kërkim, imagjinata është në lëvizje të pandërprerë.
Libri mbyllet me arratisjen e njërës prej protagonisteve ndërsa ishte hapur me arratisjen e të atit, vite më parë... Njëfarësoj mbyllni një qark. Bëhet fjalë për një zgjidhje letrare, apo ishte një pashmangshmëri e rrjedhës së ngjarjeve?
Arratisja e njërës prej protagonisteve (Flakës) shkon krejt natyrshëm me rrjedhën e ngjarjeve. Arratisja është njëri prej segmenteve të lirisë që vepron në vepër. Por dhe liria e plotë për tri motrat, veçanërisht për Flakën, qe kur laheshin mu aty ku bashkoheshin Dy Drinat. Kjo qe, si me thënë, një liri krejt e përkohshme. Gjatë shkrimit të romanit vazhdimisht më ngacmonte ideja se njëra nga protagonistet duhej të largohej prej atij mjedisi. Ndoshta ka ndikuar tek unë deri diku edhe një fragment nga historia reale që më pat ngacmuar të shkruaja veprën: Njëra prej tri motrave (situata reale), pat kapërcyer kufirin dhe mbas ikjes së saj, patën arrestuar motrën tjetër më të madhe se ajo.

Ndoshta duke u nisur nga detaje (Përroi i Andrrës përshembull...), më lind ideja e një lidhjeje të mundshme mes librave tuaj, qoftë edhe në elementë të shkëputur. A është kështu në fakt? A ka lidhje mes librave tuaj?

Ndoshta një lidhje e jashtme, fort e pandjeshme, por që lidhja mund të hetohet edhe intuitivisht. Ndoshta fati i njeriut në shqetësim të vazhdueshëm, dhe pikërisht ky shqetësim shoqëron krejt personazhet e këtyre romaneve. Duket sikur lumturia nuk i prek këto personazhe, ose i prek kalimthi. Shpendi (te “Përroi i Andrrës”) nuk lumturohet as në ëndërr, ndërsa Vesa, Flaka, Jehona te (“Tri motra në një qytet”), nuk gjejnë grimë qetësie në asnjë ditë të vitit; personazhi (Bradh Drini) te një roman tjetër ende i pabotuar (“Njeriu që kujdesej për varrin e vet:), lutet dhe këndellet t’i vijë vdekja sa më shpejt.

Si do të jetë romani juaj i tretë?

Romani i tretë tashmë është shkruar. Një pjesë e këtij romani (“Njeriu që kujdesej për jetën e vet”), është botuar tek “Mehr Licht” (29), dhe ka të bëjë përsëri me situata ekzistenciale, por jam munduar ta bëj formën e rrëfimit sa më të thjeshtë. Por mund të them gjithashtu se te ky roman rrëfimi është më i lëngshëm dhe më i lehtë. Veçse është më filozofik se romani “Tri motrat në një qytet”, i cili është i prirë më shumë kah racionalja. Kështu, në shumë anë, romanet e mia kanë më shumë pika të largta më njëri-tjetrin se të afërta. Dhe ndryshimet mund të hetohen në stil, në mjetet shprehëse, prej njërit roman në tjetrin. Po të jenë romanet e një autori, të njëjta, uniforme, atëherë, mbasi shkruhet i pari, ç’kuptim ka të shkruhet romani i dytë?

Përse shkruani?

Sepse e ndjej se s’mund të rri pa shkruar.




Libri i përkujtesës dhe reflektimit

-- nga Petrit PALUSHI

Poeti nobelist Pablo Neruda kur rrëfente për vdekjen e Frederiko Garsia Lorkës, ndërmjet të tjerave shënonte se, "Vrasja e Frederikos qe për mua ngjarja më e dhimbshme e gjithë kësaj lufte të gjatë dhe të tmerrshme. Spanja paskësh qenë gjithmonë një arenë gladiatorësh, një tokë e larë me gjak. Por vrasja e Frederikos e bëri atë edhe më të zezë, sterrë. Dhe, sa herë që e kujtoja këtë arenë vdekjeje, më ngjallej edhe kujtimi për luftën vdekjeprurëse, të vjetër disa shekuj, mes dritës dhe hijes". Vdekja tragjike e Lorkës kish ndodhur në vitin 1936.

Mbytja e të panënshtrueshmit Havzi Nela
Gjithsesi, historia vjen e gjallë, por me nota shumë të ashpra.
Më 10 gusht 1988, në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste, një "arenë vdekjeje", siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës. Pikërisht, mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të madh të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm tashmë si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, qe një prej akteve më cinike të pushtetarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët.
Për fat të keq, n'ato vite, bashkëjetesa me të keqen, një lloj konformizmi i çuditshëm, qe kthyer pothuajse në një përditshmëri, qe shndërruar në psikikë, në një bashkëjetesë patologjike dhe liria, qe kthyer thjesht në një iluzion.

Krimi ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm
Krimi ndaj Havzi Nelës, ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm lirik, mësuesit, poetit, veprimi i mizortë i diktaturës ndaj tij m'u në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të saj, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura mbi njeriun që kërkonte liri dhe integritet, ndërsa, në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më të egrit n'Evropë.

I njëjti prokuror që do të dënonte poetin Visar Zhiti
Ndërkaq, si për ironi, i njëjti prokuror që e dënoi atë më 1967, në dënimin e parë të tij, do dënonte edhe poetin Visar Zhiti më 1980. Visar Zhiti do të dënohej mu në atë ndërtesë të gjykatës ku Havzi Nela do të merrte dënimin e katërt dhe njëkohësisht më të mbramë në qershor të 1988-ës (pra, në qytetin e ndërtuar rishtaz për shkak të përmbytjes së atij qyteti që u bë zakon të quhej Kukësi i vjetër, qytet ku qe dënuar Havzi Nela për herë të parë në vitin 1967).
Mbasi qe dënuar për të parën herë me 15 vjet heqje lirie dhe për të dytën herë me 8 vjet, në dënimin e tij të tretë (internimi), në vendimin përkatës shënohej se internimi i fillonte me datën 26.9.1987 dhe i mbaronte me datën 26.9.1992. Kësisoj, pushtetaria komuniste ende e mendonte përjetësinë e vet, pra, e kish kthjelltuar mendjen të vazhdonte të ushtronte një mizori të përhershme, një lloj tiranie të tejmizortë në të gjitha stinët.

Mbytja e Havzi Nelës, dy vjet para se të shembej regjimi komunist
Por duhej të vinte dënimi i katërt, dënimi i mbramë dhe fatal për Havzi Nelën, një vit mbasi kish nisur odisejadën e internimit dhe ç'prej verës përvëluese të 1988-ës, ai do gjendej nën dhé, si për të shpëtuar gjithsaherë nga bota e mjegullt, e mbrapshtë dhe trazuese e të gjallëve, ndërsa, në tjetrën anë, në dhjetor të 1990-ës, lëvizja historike studentore shënoi fillimin e ndarjes së madhe me atë të kaluar të terrtë të mesjetës shtetërore, pothuajse më mizorja ndër regjimet e mbasluftës së Dytë Botërore në Evropë.
Është folur shpesh për Havzi Nelën se edhe për dy vjet dhe s'e mbërriti lirinë, por pakkush mund ta merrte me mend në atë gusht të përvëlimtë të 1988-ës, ose më saktë, në ditën e këputjes së frymës së tij, se liria kish qenë aq pranë. Aq pranë për të tjerët, por jo për të. Kur flitet kësisoj, duket se çdo fjalë për të tani sikur është një lloj shfajësimi ose plotësimi për humbjen e tij, në radhë të parë për humbjen fizike të parakohshme pas një jete të stërmundimshme, por njëkohësisht edhe për një humbje tjetër: ai s'arriti ta shihte lirinë, atë gjë për të cilën kish sakrifikuar së tepërmi.

Ekipi i krimit ndaj Havzi Nelës
Në anën tjetër, ndërkaq në këtë nëntor të vitit 2005, kur po përgatitet për botim ky libër, ekipi që realizoi shtatëmbëdhjetë vjet më parë krimin ndaj Havzi Nelës, ose, me fjalë të tjera, ekipi i krimit, ose ekipi entuziast i dënimit më të mbramë të tij, është pothuajse në të njëjtën lartësi detyre shtetërore si shtatëmbëdhjetë vite më parë, pavarësisht se është përmbysur regjimi i diktaturës. Afërmendsh, krejt natyrshëm të duket gjithashtu se në këtë Shqipëri të sotme, ka ndodhur prej kohësh përmbytja e moralit, që i mban njerëzit e këtij vendi ende të stresuar, sa ia vlen të besosh se ata ende ndihen fatkeqë në vendin e tyre.

Mungesa e pendesës
Për fat të keq, në rastin e Havzi Nelës, s'mund të flitet kurrsesi për pendesë ose, çështja mund të shtrohej pak si më ndryshe: përpjekja e jashtëzakonshme e atyre që projektuan dhe realizuan krimin ndaj tij për të shmangur me çdo kusht pendesën, si shenja më e parë dhe më e dallueshme për të fshehur krimin. Kjo gjë, pra mund të jetë e barazvlefshme me përpjekjen për të mbuluar përsëri krimin, si shenjë tjetër se ky lloj krimi kish ndodhur në tjetër planet dhe jo në një nga udhëkryqet e rrugëve të Kukësit, sikur ky krim të kish ndodhur në një kohë tjetër, ndoshta dhe para lashtësisë, por jo dy vite më parë se të rrëzohej diktatura dhe mbi shtatëmbëdhjetë vite më parë prej ditës së sotme kur po përgatitet për botim ky libër.
Kjo do të thotë kthjelltas se një përpjekje e nënzëshme për t'u justifikuar, e bën ende më absurde dhe cinike luftën e përhershme ndaj martirit Havzi Nela.
Kjo do të thotë gjithashtu se ekipi i krimit ndaj Havzi Nelës, thënë pak më ndryshe, ekipi i marrjes së frymës, duke mos shfaqur as shenjën më të vogël të pendesës, pa dyshim që fitoi mëvetësinë e plotë të një ekipi, që jo vetëm i kish kapërcyer edhe vetë ligjet më drastike të diktaturës, por edhe theu rekordin e mosvrasjes së ndërgjegjes dhe të mosreflektimit edhe në vitet e pasdiktaturës.

Havzi Nela nuk arriti të bëhej 55 vjeç.
Ai gjithashtu nuk pati mundësi t'i jepte kujt lamtumirën, as nuk i dha kush lamtumirë, në orën 2 të pasmesnatës të 10 gushtit 1988, por, edhe me mungesën e një lamtumire të dyanshme, për të nuk erdhi harresa; sakrifica atë vetëm sa e lartësoi, e vendosi aty ku mund të zënë vend vetëm martirët. Ai nuk mundi t'i shpëtonte mbytjes, por mundi t'i ikte humnerës mortore të harresës; me një qetësi dhe krenari gati-gati sublime, mundi të ikte nga libri i të vdekurve të gjithmonshëm.



 
Thenie  
 
A don male me deborë,
trima te fort e malsorë,
fort Bujarë e burrerorë,
shko në Kukes i ke ne dorë.  F.S.Noli
Kukes
 
Informacione  
 
Radio

Nr telefonik per emergjence:
Ujesjellesi 024-224065
Spitali 024-222573
Zjarrfikesi 024-222333
Urgjenca 024-222229
Kom.policise 024-222221
Elektriku 024-222555

 
Autoret Kuksiane  
 


 
Faqe Partnere  
 

Mardhenie Diplomatike Me:
Www.Bisedoj.Com
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu
Faqja Juaj Ketu

 

Fuqizuar nga Www.Bisedoj.Com ::Nentor 2008:: Kukesi Kontakt Mp3 Chati Rreth Nesh

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free